Fabrika e birrës Schlössle në qytetin gjerman Neu-Ulm, një nga më të vjetrat në Bavari, do të ndalojë prodhimin e birrës në fund të dhjetorit pas 334 vjetësh aktiviteti. Familja që zotëron fabrikën thotë se për shkak të rënies së konsumit nuk mund të mbulojë më shpenzimet.
“Ky hap është ekonomikisht i nevojshëm. Për të vazhduar prodhimin e birrës, do të duhej të investonim disa qindra mijëra euro. Këto shuma nuk mund të mbulohen nga shitja e deri në 1500 hektolitra birrë në vit,” i tha Bildit bashkëpronarja Christa Zoller-Kaltenbacher.
Sipas saj, aktualisht çmimi i një kuti me 12 shishe të birrës së tyre klasike “Märzen” prej 13.5 eurosh është “i ulët”, dhe nuk mund të dyfishojnë çmimin sepse “kjo nuk është e realizueshme në treg”.
Pavarësisht vendimit të vështirë, por financiarisht të nevojshëm për të përfunduar historinë e gjatë të këtij biznesi të vogël, pronarët do të ruajnë fabrikën e birrës si restorant.
“Edhe pse ‘Schlössle’ nuk do të shesë më birrë të vetën, do të mbetet një hapësirë për kulturën e birrës. Do të lidhim marrëveshje me fabrika të tjera birre dhe, kur të na mbarojë birra, do të ofrojmë birra të tjera cilësore dhe specialitete të tjera,” thekson familja.
Ndërtesa e vjetër e fabrikës së birrës ishte e transformuar në një tavernë në vitin 1673, dhe në vitin 1690 u bë gjithashtu një fabrikë birre. Cilësia e birrës atëherë ishte e shkëlqyer, dhe lokali ishte shumë i popullarizuar.
Lokacioni ka qenë në pronësi të familjes Zoller për më shumë se 135 vjet, që nga viti 1879.