Më 26 shtator, të enjten, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të zhvillojë një seancë plenare për të vazhduar shqyrtimin e çështjeve të mbetura nga seancat e mëparshme.
Kjo u vendos nga Kryesia e Kuvendit gjatë një mbledhjeje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca.
Seanca plenare do të fillojë me emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, dhe do të vazhdojë me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit për programin e parë që ka si qëllim “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, midis Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Po ashtu, do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Energjisë Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
Pas votimit në lexim të dytë të Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor, si dhe atij për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe tri projektligje të tjera: Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës, Projektligjin për rrugët, dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.