Ajo tha se Limaj dhe dy deputetët e zgjedhur nga partia e tij kanë shprehur gatishmëri, por tha se kjo s’është konfirmuar.
“Ka shprehur gatishmëri edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, për tre deputetët e vet, megjithatë nuk mund të konfirmoj se ka një marrëveshje të konfirmuar apo të finalizuar me partinë Nisma për institucionet”, tha ajo në Euronews Albania.
Kusari-Lila pranoi se bashkë me votat jo edhe aq të sigurta të Nismës dhe tetë të konfirmuara nga pakicat – përfshirë këtu edhe atë të Nenad Rashiqit – prapë iu mungojnë edhe dy të tjera për ta krijuar shumicën e thjeshtë për votimin e Qeverisë Kurti 3.
“Nga informatat është se nga grupi i komunitetit joshumicë joserbe, nga 10 sa janë tre nuk kanë dhënë konfirmimin e tyre të plotë për mbështetje të qeverisë, gjegjësisht kanë pasë kërkesa të cilat abnormalisht kanë shkuar në peshë më të rëndë sesa që kanë qenë më herët ose sesa mund të kërkohet për një mandat që ata secili veç e veç e kanë në Kuvend”.
Ndërkaq, e pyetur nëse kanë marrë konfirmim nga ndonjë deputet i partive të tjera për të mbështetur krijimin e Qeverisë, Kusari-Lila tha se s’kanë asgjë të sigurt.
“Nuk mund të them më të sigurt, gatishmëri ka pasë, por nuk mund të jetë e konfirmuar për arsye se në fund të ditës secili do e kenë përgjegjësinë apo ballafaqimin qoftë me subjektin e vet apo nëse do të duan të bëjnë lëvizje, por nuk mund të kemi të konfirmuar apo të sigurt që do të jenë deputetët nga radhët e partive tjera”.
Kusari-Lila shtoi se më e lehtë për t’u marrë vesh nëse do të jenë 61 votat e nevojshme për krijim të Qeverisë “do të jetë kur vetë deputetët do të bëjnë publike” votën e tyre.
“Me trendin aktual nuk mund të kem parashikim pozitiv. Por, ne jemi vend i çudirave shpeshherë, dua të besoj që i kemi, por po e shoh me vështirësi”.