Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se përveç katër pelegrinëve serbë në Gjakovë, janë ndaluar edhe 12 të tjerë në Prizren.
“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, ka thënë ndër të tjera Sveçla.
Sveçla thotë se në bazë të hetimeve paraprake, një toger ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Bansjkës, Nemanja Radivojeviq me nofkën “Gandi”. Sipas ministrit në detyrë, “Gandi” është i lidhur me Vladimir Radivojeviq, të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
“Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, sqaron ndër të tjera Sveçla.