Viti 2023 ka nisur mbarë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë sipas Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, përderisa viti i kaluar konsiderohet me numrin më të madh të regjistrimit të bizneseve që nga pavarësia e këndej.
E numri i atyre bizneseve që janë shuar sipas AKB-së, nuk po konsiderohet real. në anën tjetër ATK bëri të ditur se në vitin 2022 mbi 57 mijë biznese kanë paguar tatim në Kosovë.
Vetëm gjatë janarit të vitit 2022, në Kosovë janë regjistruar 313 biznese të reja, ndërsa janë shuar 38 sosh. Në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë thuhet se në vitin 2022 janë regjistruar gjithsejtë 11 mijë e 51 biznese e janë shuar 1 mijë 775. Sipas përgjigjes gjatë vitit 2022 dhe 2023, nuk ka pasur biznese pasive.Por sipas një studimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, mbi trendin e ndërmarrësisë për tri vitet e kaluara, vitin më të rëndë të pandemisë janë mbyllur më shumë se 20 mijë biznese.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se viti 2022 ishte më i mirë për sa i përket regjistrimit të bizneseve të reja në vend që nga paslufta. Por ai thotë se në listën e bizneseve figurojnë edhe ato biznese të cilat nuk janë aktive por që për shkak të procedurave nuk e kanë shuar ende biznesin.
“Ky vit është shumë më i mirë se viti 2020. Është vit ku më së shumti kemi pasur biznese të hapura që nga pavarësia e këndej. Por sipas analizave tona ka disa studime dhe hulumtime të bëra se numri i bizneseve të shuara është më i lartë se sa figuron. Ka më shumë se 3mijë e 500 biznese të shuara në tërë Kosovën, nga sektorë të ndryshëm e që ata nuk kanë hyrë në procedura të shuarjes së biznesit në mënyrë zyrtare për shkak se proceduarat janë të stërzgjatu”, tha ai.
E numri i bizneseve që janë mbyllur po konsiderohet së është i lartë. Njohësi i fushës së ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha për Radio Kosovën se institucionet e vendit duhet marrë masa për të ndihmuar biznesin nga kriza, në mënyrë që të mos mbyllen.
“Vërtet kemi një situatë e cila meriton respekt por është edhe obligim që të shpëtohen biznese të cilat kanë sfida. Në vitin 2023 besoj të ketë më tepër dialog e kampanja vetëdijesuese dhe nuk do të shikohet biznesi për t’u penalizuar por për t’u mbështetur dhe zhvilluar”, tha ai.
E Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur për Radio Kosovën se 57 mijë e 480 është numri i bizneseve të cilët kanë paguar tatim për vitin 2022. /rtklive/