E gjithë kjo po ndodhte në godinën e oborrit të qeverisë së Serbisë, ku Gjingjiq shërbeu për disa vite si kryeministri i parë i Serbisë pas rënies së regjimit të kriminelit Millosheviq.
Pikërisht gjatë mandatit si kryeministër i ekzekutivit serb, ai kishte vënë themelet e demokratizimit të shtetit serb.
Ai kishte inicuar reforma ekonomiko-sociale dhe ishte angazhuar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.
Tek këta të fundit, ishin ekstraduar plot të akuzuar për krime lufte, mes të cilëve edhe ai që bota e njeh si “kasapin e Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
Para se ta drejtonte shtetin e Serbisë, Gjingjiq mbahet mend si kryetari i parë jo-komunist i Beogradit dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.
Gishtin për vrasjen e tij që në fillim e drejtoi mafia serbe, konkretisht “Klani i Zemunit” dhe ata që ishin pjesë e formacioneve të luftës.
Për vrasjen e Gjingjiq, u dënua me 40 vjet burg oficeri i njësisë për operacione speciale Zvezdjan Jovanoviq.
Për organizimin e vrasjes, dënim të njëjtë mori edhe komandanti i njësisë për operacione speciale, Milorad Ulemek.
I mbajtur mend si njeriu që rrëzoi nga pushteti Sllobodan Millosheviqin, nderimi për figurën e tij vazhdon të mbetet debat i përditshëm në Serbi, i nxitur nga qarqet nacional-shoveniste të politikës serbe.
Ish-kryeministri serb, që sot urrehet nga radikalët dhe portofashistët, kishte shprehur gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje edhe në raport me Kosovën, gjë që e bënte të shihej si një shpresë për paqen në Ballkan.
Zoran Gjingjiq ishte doktor i filozofisë, që filloi studimet në Beograd për t’i vazhduar në Gjermani.
Ai ishte i martuar dhe ka lënë pas dy fëmijë.