Sot shënohen 26 vjet nga Beteja e Koshares, një nga përballjet më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës për liri. Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike, një hap i rëndësishëm për forcimin e luftës për çlirimin e Kosovës.
Kjo betejë, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte shumë të vështira, por me një vendosmëri dhe guxim të jashtëzakonshëm nga luftëtarët shqiptarë. Thyerja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte jo vetëm një rëndësi strategjike, por edhe simbolike, duke shënuar një hap të madh drejt çlirimit të Kosovës dhe realizimit të aspiratës për liri.