Sot shënohen 26 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, një nga luftëtaret e para të UÇK-së. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin figura kyçe në organizimin dhe luftën për liri në Kosovë, duke rënë më 22 shtator 1998, në një betejë të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese të jashtëzakonshme nga ana e tyre dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së në fortifikimet e ngritura në Çyçavicë. Përveç tyre, ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë. Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emri i së cilës do të ruhet përherë.