Sot shënohet 26 vjetori i krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj qytetarëve të Skenderajt gjatë luftës në Kosovë. Më 20 mars 1999, ndërsa tërhiqeshin vëzhguesit ndërkombëtarë të misionit të OSBE-së, Skenderaj u bë një skenë e tmerrshme, ku kriminelët serbë, të maskuar dhe të veshur me rroba të bardha, filluan plaçkitjet dhe maltretimet ndaj qytetarëve të pafajshëm.
Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka përshkruar ngjarjet e asaj periudhe, duke theksuar se forcat serbe ndanë burrat nga gratë, i morën ata dhe i dërguan në një vend të njohur si Te Pishat, ku u ekzekutuan. Jashari ka kujtuar se disa nga qytetarët u vranë në shtëpitë e tyre, ndërsa disa të tjerë u arrestuan dhe më pas u ekzekutuan.
“Rënia e tyre në altarin e Lirisë është dëshmi e gjenocidit që ka bërë shteti serb në Kosovë. Lavdi të rënëve për Lirinë e Kosovës,” ka shkruar ai.
Gjatë kësaj dite tragjike, tetë shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre dhe u vranë në Te Pishat. Po ashtu, 29 civilë të tjerë shqiptarë u vranë ose u zhdukën pa gjurmë në të njëjtën ditë në Skenderaj. Ky akt barbar i forcave serbe mbetet një nga ngjarjet më të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe një dëshmi e mizorisë që populli shqiptar i Kosovës pësoi gjatë asaj periudhe.