Sot, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u mbajt ceremonia për nënshkrimin e marrëveshjeve që ofrojnë mbështetje financiare për 167 biznese vendore që përfitojnë nga skema e ndihmës për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Këto fonde janë për blerjen e makinerive për prodhim dhe përpunim. Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Me një fond prej 4.4 milionë eurosh, që do të ndahen për 167 biznese prodhuese, Kryeministri Kurti theksoi se këto fonde janë një mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin, modernizimin dhe përparimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri Kurti e theksoi vizionin e qeverisjes demokratike të mirë, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, mirëqenien dhe barazinë si prioritete të pandryshuara. Ai po ashtu theksoi përkushtimin për krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes dhe rritjen e konkurrencës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar për herë të parë që nga paslufta Politikën Industriale 2030, e cila synon transformimin e industrisë kosovare në një sektor të integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të lartë dhe ofron mundësi punësimi të denjë për qytetarët.
Kryeministri përmendi mbështetje të rëndësishme për industrinë prodhuese, duke përmendur fondin prej 36 milionë eurosh për Fondin Kosovar Garanci Kreditore si dhe krijimin e instrumenteve financiare për investimet e diasporës përmes Dritares për Investime të Diasporës. Po ashtu, gjatë tre viteve të fundit, përfshirë edhe këtë vit, 706 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme kanë marrë mbështetje financiare prej mbi 20 milionë eurosh për të rritur konkurrencën e tyre, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA).
Sipas raporteve të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vlerësimet për vitin 2024 parashikojnë një rritje ekonomike prej 3.9% dhe një rënie të inflacionit, i cili është ndikuar negativisht nga importet. Raportet ndërkombëtare, përfshirë ato nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikojnë një rritje të sektorit industrial prej 3.6% për vitin 2024, me çmime bazë konstante, duke marrë parasysh se ky sektor përbën rreth 13.2% të BPV-së.
“Kosova ka arritur zhvillim të shpejtë, me një normë mesatare të rritjes së PBB-së prej 6.2% gjatë tre viteve të fundit dhe një rritje prej 33% të Bruto Produktit Vendor nga viti 2021 deri në vitin 2024,” nënvizoi Kryeministri Kurti.
Në përmbyllje, Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë për mbështetje të sektorit privat dhe reformave që krijojnë mundësi të reja punësimi, duke shpalosur potencialin e ndërmarrjeve si një motor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe ambiental.
Ministrja Rozeta Hajdari e cilësoi ngjarjen si një moment të veçantë dhe të rëndësishëm, duke përfunduar publikimin e listës përfundimtare të 167 bizneseve që do të përfitojnë nga mbështetja financiare për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese. “Urime të gjithë për këtë ngjarje të veçantë,” tha ajo.