Të paktën 40 persona u vranë të hënën nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi Agjencia e Mbrojtjes Civile në territorin palestinez, ku hyrja e ndihmave humanitare është bllokuar për më shumë se 50 ditë.
Sulmet pasuan rifillimin e fushatës ushtarake izraelite më 18 mars, pasi dështoi një marrëveshje armëpushimi dy-mujore mes Izraelit dhe Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Sipas zyrtarit të mbrojtjes civile, Mohammed al-Mughayyir, viktimat përfshijnë tetë anëtarë të familjes Abu Mahadi në Jabalia dhe dhjetë anëtarë të familjes Al-Ghamari në Al-Sudaniya, si dhe tetë persona nga familja Al-Agha në Khan Younis. Katërmbëdhjetë të tjerë u vranë në sulme të shpërndara në zona të ndryshme, përfshirë një kamp të zhvendosurve.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë raportoi se numri i viktimave që nga rifillimi i ofensivës ka arritur në 2.222, duke e çuar totalin e të vrarëve që nga tetori 2023 në mbi 52.000.
Nga ana tjetër, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 kishte rezultuar në vdekjen e 1.218 personave në Izrael dhe rrëmbimin e 251 personave, nga të cilët 58 mbeten ende në robëri.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi sulmet e fundit.