Përfaqësuesit e biznesit thonë se mungon bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DHTIK), Skënder Krasniqi kërkon nga Qeveria e Kosovës një ofertë më të qartë për tërheqjen e investimeve të huaja, e cila sipas tij, do të ndikonte në rritjen ekonomike, të punësimit dhe mirëqenies sociale.

Krasniqi thotë se mbi 70 për qind e qytetarëve në moshë pune janë të papunë, ndërsa bizneset vuajnë mungesën e punëtorëve të kualifikuar. Gjithashtu, Krasniqi e sheh si shqetësuese për bizneset mungesën e sigurisë nga ana e shtetit për furnizim me energji elektrike për muajt në vijim.

Krahas rritjes së inflacionit, Krasniqi thekson se bizneset pësuan shumë humbje në afarizmin e tyre për shkak të çmimeve të larta për realizimin e kontratave me institucionet publike. Përveç kësaj, kreu i Dhomës ka kërkuar bashkëpunim më të madh ndërmjet komunitetit të biznesit dhe qeverisë.

“Kemi pritur reagim më të shpejtë nga Qeveria e Kosovës dhe presim ende për t’i dalë në ndihmë dhe në kohë reale bizneseve. Për këtë kemi kërkuar dhe po kërkojmë nga qeveria një bashkëpunim më të madh me ne (komunitetin e biznesit), në mënyrë që biznesi dhe qytetari të kenë një siguri më të madhe, të rriten investimet në vend. Sepse kemi një ngecje në këtë drejtim. Krijimi i një oferte tërheqëse dhe reale për të investuar në Kosovë, po ashtu krijimi i zonave për investime të caktuara do të mundësonte që Kosova të ketë një rritje shumë më të madhe ekonomike, rritje të punësimit dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, thekson Krasniqi.

Ai shton se papunësia është e madhe, mbi 70 për qind e qytetarëve në moshë pune janë të papunë. Megjithatë, Krasniqi ngriti edhe çështjen e mungesës së fuqisë punëtore.

“Kemi mbi 70 për qind të qytetarëve në moshë pune janë të papunë. Papunësia te ne është shumë e madhe në qoftë se do të kishim parametrat real ashtu siç i ka Bashkimi Evropian. Ne po thirremi sipas Eurostatit, por nuk i zbatojmë të gjitha veprimet nga shteti në bazë të Eurostatit. Ajo që jemi duke u përballur ne si biznese është mungesa e punëtorëve të kualifikuar për nevoja të tregut”, shton ai.

I pari i DHTIK-së për KosovaPress përmendi se krahas krizës energjetike, nuk kanë marrë garanci nga qeveria dhe KEDS-i për furnizim të rregullt me energji elektrike për muajt e ardhshëm.

Krasniqi shprehi pakënaqësitë e tij edhe për reduktimet e rrymës që u aplikuan gjatë verës, dhe mungesën e kompensimit të bizneseve për dëmet e shkaktuara nga mungesa e energjisë.

“Ne edhe sot nuk kemi siguri për furnizim me energji elektrike, përderisa vendet e rajonit e kanë siguruar këtë. Ne si Dhomë e Tregtisë, kemi kërkuar nga qeveria, por edhe nga KEDS-i garancinë se nuk do të ketë reduktime të rrymës, mirëpo për këtë nuk kemi marrë asnjë përgjigje se a do të ketë apo jo furnizim të rregullt me energji elektrike. Prandaj, nuk kemi siguri. Në aspektin energjetik është një përparësi që një vit krahasuar me rajonin. Kjo, jo për shkak të ndonjë mbështetje apo diçka tjetër, por për shkak se Kosova ende nuk ka filluar liberalizimin e tregut energjetik, ndërsa vendet e rajonit këtë proces e kanë përfunduar. Kështu që ndërkohë më herët që qoftë se në tregun e lirë rryma ishte me 40-50 euro, ne si biznese kemi paguar nga 120-130 euro. Dhe kështu kemi pasur çmimin më të shtrenjtë në rajon. Ndërsa, me rritjen e çmimit të energjisë elektrike këtë vit për amvisëritë, ne prapë paguajmë çmimin e njëjtë, ndërkohë që në treg për konsumatorët familjarë është rritur çmimi. Pra, kjo është një përparësi momentale sa i përket çmimit”, thotë ai.

Ndër të tjera, Krasniqi përmendi edhe një sfidë tjetër të bizneseve në realizimin e kontratave me institucionet publike për shkak të rritjes së çmimeve.

“Ne si Dhomë e Tregtisë në vazhdimësi e kemi njoftuar qeverinë për gjendjen dhe realitetin e bizneseve, për nevojat dhe sfidat. Me fillimin e pandemisë dhe këtë vit sidomos me fillimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, çmimet patën lëvizje dhe pati rritje të jashtëzakonshme, dy-trefish më shumë. Për këtë ne kërkuam nga institucionet e Kosovës që të rinegociohen kontratat e mëhershme që qeveria ka bërë me biznese. Fatkeqësisht qeveria nuk dëgjoi, ndërkohë që vendet e rajonit të gjitha kanë bërë rinegocim të çmimeve. Megjithatë, pas një heshtje totale, tek tash qeveria bëri ndryshim të kontratave, por kjo me vonesa të mëdha. Konsiderojmë se gjatë vitit 2022 bizneset patën humbje të mëdha, por edhe shteti ka humbur shumë, sepse nuk ka arriti që t’i implementojë projektet e parapara më herët, kjo si rezultat i paaftësisë së pushtetit”, përfundon Krasniqi.

Reklama

Në aspektin e tregut medial, ai përmendi edhe kërkesat e vazhdueshme që i kanë bërë ndaj qeverisë për përfshirjen e medieve në Ligjin për Sponsorizime. /KP/

 

Next Post

Qëndroni me ne