Kosova ka importuar 5.6 miliardë euro mallra gjatë vitit 2022 ndërsa ka eksportuar mallra në vlerë 869 milionë euro.Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se Kosova ka importuar mallra rreth 1miliard më shumë krahasuar me 2021.Ndërsa Turqia është vendi nga i cili Kosova importon më së shumti.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në konferencë për media, ka prezantuar të arriturat e institucionit që drejton, për vitin 2022.
Ai tha se gjatë vitit të kaluar, Dogana ka mbledhur 1 miliard e 531 milionë euro të hyra, importi ka arritur vlerën e mbi 5 miliardë eurove dhe eksporti mbi 869 milionë euro. Sipas tij, rritja e të hyrave është edhe si rezultat i inflacionit, e rritjes së çmimeve të produkteve.
Krahas kësaj, Llugaliu tha se importi nga Serbia ka qenë 370 milionë euro, ndërsa Kosova ka importuar më së shumti nga Turqia.
Ai tha se gjatë vitit 2022, kanë arritur që të tejkalojnë të hyrat e vitit paraprak. “Kemi pasur një projeksion të Qeverisë të rishikuar në korrik të vitit të kaluar në shumën prej një 1 miliard e 477 milionë euro”.
Llugaliu u shpreh se Dogana ka arritur që këtë projeksion ta kalojë me mbi 3%, përkatësisht 54 milionë më shumë, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar, ka arritur që të realizohen 154 milionë më shumë të hyra.
LLugaliau tha se si tregues shumë i rëndësishëm, është edhe luftimi i ekonomisë joformale e që në anën tjetër, mundëson që të ketë përformancë më të mirë për të hyrat.
“Gjatë këtij viti kemi pasur 11 mijë e 157 aktivitete që zbatohen nga njësitë e zbatimit të ligjit, në kontrollet në brendi të subjekteve të ndryshme, gjithashtu edhe brenda territorit në rrugë publike e vende të ndryshme”.
Ai tha se gjithashtu ka pasur një përmirësim të bashkëpunimit edhe me institucionet tjera.
“Kemi pasur 92 operacione të përbashkëta të kontrollit, tek hetimet kemi pasur 16 persona të arrestuar, tek përmirësimi i disiplinës kemi pasur 23 masa disiplinore të ndryshme, tek sekuestrimi i mallrave që është një tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm për efikasitetin e luftimit të ekonomisë joformale, kemi 11.3 milionë. Te gjobat kemi pasur 1.8 milionë”, tha ai.
Llugaliu u shpreh se ka pasur në vitin 2022, një rast që janë konfiskuar 83 kilogramë heroinë që vinte nga Turqia.
“Nga ky rast kemi arritur të bashkëpunojmë me autoritetet turke edhe një rast tjetër po ashtu ishte nisur drejt Kosovës, e që kolegët nga Turqia kanë arritur ta ndalin në nisje, sasi poashtu mjaft e madhe prej 108 kilogramësh”.
Ai tha se në të gjitha këto raste ka pasur një mori arrestimesh nga Policia e Kosovës në bazë të provave dhe informatave që janë gjetur.
“Kemi pasur një rast tjetër më 70 kilogramë narkotikë që vinin nga Irani”.
Llugaliu në konferencën për media theksoi se Kosova ka mbledhur 154 milionë më shumë të hyra se vitin 2021.