Ministria tregon vlerën e subvencionit të kulturave bujqësore në kuadër të Programit për Pagesat Direkte 2023

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka prezantuar çmimoren se sa do të subvencionohen kulturat bujqësore në kuadër të Programit për Pagesat Direkte 2023.

Peci me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se subvencionimi i farës së grurit do të jetë 614 euro për hektarë, prej të cilave 250 euro janë për sipërfaqe, 150 euro për plehërimin, 54 për naftën dhe 0.04 euro për kilogram.

Ai thekson se gështenja do t’i bashkohet këtë vit subvencionimit të dru-frutoreve me 504 euro për hektarë.

 

Po ashtu, për lëndën e parë të prodhimit të vajit ushqimor, subvencionimi i lulediellit do të jetë 454 euro për hektarë.

Te pagesa direkte për bimët mjekësore dhe aromatike është shtuar subvencionimin për bimët mjaltëdhënëse me 450 euro për hektarë.

Subvencionimi i grurit sipas tij do të jetë 474 euro për hektarë, ai i misrit me 329 euro, patates me 654 euro dhe fasules me 654 euro për hektarë.

Nga ana tjetër kulturat pemëtare subvencionohen me 504 euro për hektarë, perimet në sipërfaqe të mbyllura do të përkrahen me 904 euro dhe ato në sipërfaqe të hapur me 554 euro për hektarë. /Telegrafi/

Next Post