Krijimi i një zone të lirë ekonomike në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe, shihet si mundësi e mirë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Evropa është një model se si ekonomia mund të jetë një katalizator i përafrimit të shteteve”, thotë për Radion Evropa e Lirë Safet Gërxhaliu, ekspert i çështjeve ekonomike.
“Shtetet e Bashkimit Evropian nuk është se e duan njëra-tjetrën si vende anëtare, por ato i bashkon ekonomia dhe interesi ekonomik”, thotë ai.
Zona e lirë ekonomike është një territor që ka një status të veçantë ekonomik. Kompanitë atje tatohen më pak ose fare, për të inkurajuar aktivitetin ekonomik.
Ideja për krijimin e një zone të tillë në veri është hedhur qysh në mes të dhjetorit nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në një intervistë për një medium në Serbi, ai ka thënë se Mitrovica e Veriut mund të bëhet “një zonë pa taksa, një qendër për shpërndarje dhe për transport dhe një treg i përbashkët rajonal”.
Të mërkurën e 11 janarit, në një takim me gazetarët në Prishtinë, Escobar ka thënë se kur ka folur për krijimin e një zone të tillë ekonomike, ka menduar për njerëzit në veri të Kosovës, të cilët, sipas tij, “ballafaqohen me probleme, janë të izoluar dhe nën presion”.
“Ndoshta ka mënyra për t’i shikuar ato mundësitë që krijohen nga potenciali ekonomik i hapjes së Mitrovicës me rajonin, dhe shndërrimi i saj në një pikë, ku njerëzit nga rajoni, sidomos nga Serbia dhe Kosova, mund të shikojnë mënyra për një qëllim të përbashkët, të cilin të gjithë e duan, e që është zhvillimi ekonomik, një e ardhme më e ndritur për rajonin, posaçërisht për gjeneratën e ardhshme”, ka thënë Escobar.
“Ky mund të jetë një opsion, por ne duhet t’i kalojmë krizat aktuale për të arritur në një pikë, ku mund të kërkojmë vërtet zgjidhje reale dhe të qëndrueshme”, ka shtuar ai.
Në katër komunat në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – situata politike dhe e sigurisë është e paqëndrueshme qysh pas luftës, më 1999.
Komuniteti lokal shpesh nuk u bindet vendimeve të Prishtinës zyrtare dhe pakënaqësitë i shpreh në forma të ndryshme, përfshirë bllokimin e rrugëve, protestat apo tërheqjen nga institucionet.
Në atë pjesë që nga paslufta funksionojnë edhe struktura paralele të Serbisë.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, por zbatimi në terren i dhjetëra marrëveshjeve që kanë arritur, ka ngecur.
Gërxhaliu: Fuqizimi ekonomik i banorëve tejkalon paqëndrueshmëritë politike
Gërxhaliu thotë se për përafrimin e interesave të Kosovës dhe Serbisë, si mekanizëm duhet të shfrytëzohet ekonomia.
“Duhet të bëhet çmos që në rend të parë të ketë marrëveshje politike [mes Kosovës dhe Serbisë] dhe të analizohen të gjitha modalitetet që ekonomia t’i përafrojë ato”, thotë ai.
Duke komentuar idenë për zonën e lirë ekonomike në veri të Kosovës, Gërxhaliu thotë se fillimisht duhet një studim i fizibilitetit, apo i vlerësimit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët e fushës së ekonomisë.
Sipas tij, ajo do të duhej të ishte gjithsesi nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe nuk do të duhej të kishte kompetenca njëetnike, por multietnike.
“Raportet e Kosovës dhe Serbisë janë të brishta. Në këtë drejtim, edhe vetë zbatimi i marrëveshjeve është një pikë e dobët. Në Ballkan, i huaji dhe gjuha e huaj janë gjithmonë të vlerësuara… Në këtë rast, me një garanci nga SHBA-ja, një zonë e tillë do të kishte rëndësi dhe funksionalitet”, thotë Gërxhaliu.
Funksionalizimi i një zone ekonomike me qasje të veçantë doganore, përkatësisht lehtësira doganore, mund të jetë tërheqës edhe për investitorët e huaj, thekson ai.
Tërheqja e dy apo tri kompanive ndërkombëtare në këtë zonë ekonomike, sipas tij, do të ndikonte në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale për banorët vendas.
“Situatat e paqëndrueshme politike në veri të Kosovës do të mund të tejkaloheshin me fuqizimin ekonomik të rajonit të Mitrovicës dhe të banorëve në atë pjesë”, thotë Gërxhaliu.
Zeka: Qeveria duhet të shtyjë përpara krijimin e zonës ekonomike në Mitrovicë të Veriut
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se raportet ndëretnike dhe situata që e ka karakterizuar veriun e Kosovës që nga paslufta, e bëjnë shumë të nevojshme krijimin e një zonë ekonomike atje.
“Nevoja për zhvillim të përshpejtuar ekonomik në vend dhe krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës janë ndër kërkesat parësore të banorëve të Mitrovicës, por edhe të Kosovës në përgjithësi”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, në atë zonë ekonomike do të duhej t’u jepej përparësi bizneseve të huaja dhe vendore në sektorin e prodhimit.
“Shtyrja përpara e krijimit të një zone ekonomike do të sillte përfitime edhe për Qeverinë, pasi që, në praktikë, fuqizimi ekonomik i qytetarëve do t’i zbuste dhe përmirësonte problemet ndëretnike në këtë pjesë të vendit”, thotë Zeka.
Qyteti i Mitrovicës dhe të gjitha komunat e pjesës veriore të Kosovës, shton ai, kanë potenciale të shumta ekonomike – në veçanti minerare.
Potencial i këtij rajoni, sipas Zekës, është edhe pozita gjeografike në të cilën gjendet.
“Duke qenë se këto komuna janë në afërsi të kufirit me shtetet tjera, si me Serbinë, kjo zonë ekonomike do të ofronte qasje më të lehtë dhe të përshpejtuar në korridoret ndërkombëtare transportuese”, thotë Zeka.
“Ky rajon mund të shndërrohet në një qendër edhe logjistike, edhe të shkëmbimit të mallrave, edhe të bashkëpunimit ekonomik në përgjithësi. Shpresoj që Qeveria do ta shtyjë përpara këtë ide”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë e kontaktoi Qeverinë e Kosovës në lidhje me idenë e Escobarit për një zonë ekonomike në veri të Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Si është gjendja ekonomike në veri të Kosovës?
Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk posedon të dhëna zyrtare për gjendjen ekonomike dhe sociale në katër komunat në veri, të banuara më shumicë serbe.
As numri i saktë i banorëve serbë në këto komuna nuk dihet, pasi ata kanë refuzuar të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, supozohet se numri i banorëve atje është rreth 40 mijë.
Në një anketë të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Iniciativa e Re, thuhet se papunësia është shqetësim kryesor për banorët serbë në Kosovë.
Anketa e bërë mbi perceptimet e qytetarëve për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë vë në pah se 46 për qind e serbëve të anketuar deklarojnë se mungesa e vendeve të punës është shqetësim kryesor.
Sipas kësaj ankete, 29 për qind e serbëve të anketuar thonë se papunësia është kërcënim kryesor për paqen dhe sigurinë.
Me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe një marrëveshje në Uashington, në shtator të vitit 2020, megjithëse ajo nuk e përmend në mënyrë të veçantë veriun e Kosovës.
Kosova, po ashtu, importon sasi të madhe mallrash nga Serbia, ndërsa eksporton më pak në Serbi.
Zonat e lira ekonomike në Kosovë
Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të tilla: zonat ekonomike, parqet industriale, parqet teknologjike dhe qendrat inovative.
Zonat ekonomike themelohen me vendim nga Qeveria e Kosovës. Ato mund të themelohen me vendim edhe nga komunat brenda territorit dhe në kuadër të kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj.
Krijimi i zonave ekonomike ka për qëllim të ndihmojë zhvillimin ekonomik në vend, të nxisë investime private në veprimtari prodhuese, të hapë vende të reja pune, të tërheqë teknologji të përparuara, të rrisë konkurrencën e biznesit vendor etj.
Në zonat ekonomike mund të zhvillohet çdo veprimtari afariste, e cila nuk e cenon rendin publik, mbrojtjen e shëndetit publik, mjedisin, florën, faunën dhe pasuritë kombëtare të Kosovës dhe nuk bie ndesh me legjislacionin në fuqi.
Kosova ka krijuar disa zona ekonomike, si: parku i biznesit në Drenas, pastaj ai në Mitrovicë, parku teknologjik në Skenderaj, zona industriale në Suharekë, parku industrial holandez në Prizren, parku industrial në Vushtrri, parku teknologjik në Shtime etj.