Sipas ekspertëve në KEDS, bojleri në shtëpitë tona, varësisht nga madhësia, lloji i tij numri i anëtarëve të familjes dhe kohës sa qëndron i ndezur shpenzon prej 40-60 për qind të faturës totale mujore gjatë sezonit të dimrit nëse këtu nuk e përfshijmë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje.
“Sipas përllogaritjeve të tyre, ne mund të kursejmë prej 80-100 kWh në muaj ose mesatarisht 13%-15% nga fatura totale nëse e ndezim bojlerin gjatë kohës së tarifës së lirë, e cila në dimër është nga ora 22:00-07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00-08:00, nëse e ulim temperaturën e termostatit në 55℃-60℃, dhe nëse e reduktojmë përdorimin e ujit të ngrohtë”, thuhet në njoftim.
Mbi të gjitha, ekspertët në KEDS sugjerojnë se bojleri shpenzon më pak rrymë kur kyçet sipas nevojës, sesa kur është vazhdimisht i kyçur.
“T’u përmbahemi këtyre sugjerimeve në praktikë që të kursejmë në faturat tona dhe të mos e ngarkojmë rrjetin elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në një komunikatë lëshuar nga KEDS.