Kosova ka pësuar humbje në ndeshjen hapëse të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Në përballjen e parë të Grupit 2 në Ligën C, Dardanët u mposhtën nga Rumania, me rezultat të thellë 3:0. Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të premten mbrëma, nisi me dinamizëm nga futbollistët dardanë dhe përkrahje të madhe nga tifozët e pranishëm. Kosova shfaqi disa momente premtuese gjatë pjesës së parë, por Rumania arriti të amortizojë aksionet e ekipit tonë, teksa në minutën e 40-të shënoi gol, përmes Dennis Man. Ky moment ndikoi në ecurinë e mëtejme të lojës, me rumunët që arritën të menaxhojnë epërsinë deri në fund të pjesës së parë. Edhe pjesa e dytë nisi keq për Kosovën, pasi në minutën e 51-të, Rumania realizoi golin e dytë pas një penalltie të akorduar me ndërhyrjen e VAR-it, e të cilën e shndërroi në gol Razvan Marin. Pas këtij goli, Kosova vazhdoi të luftojë në kërkim të golit të kthesës, por rumunët ruajtën qetësinë dhe kontrollin e lojës. Madje, në minutën e 82-të mysafirët realizuan edhe golin e tretë përmes Denis Dragush. Kosova e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi pak para përfundimit të takimi u përjashtua Mërgim Vojvoda. Ndeshjen e radhës, Kosova e zhvillon më 9 shtator si mysafire e Qipros.