Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor, duke shënuar kështu edhe hapjen e punimeve të Kuvendit pas pushimeve.
Duke uruar për fillimin e punës në këtë sesion, kryetari Konjufca njoftoi Kryesinë lidhur me procesin e instalimit të pajisjeve të reja elektronike në sallën e mbledhjeve plenare.
Zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, bëri të ditur se puna për instalimin e këtyre pajisjeve ka përfunduar më 23 gusht 2024, është bërë testimi i tyre dhe se tani salla e mbledhjeve plenare është e gatshme për përdorim.
Kryesia vendosi që seanca plenare e radhës, përkatësisht seanca e parë për këtë sesion, të mbahet të enjten, më 12 shtator, me një varg pikash, përfshirë edhe ato të bartura nga sesioni pranveror
RENDI I DITËS
Në këtë mbledhje Kryesia miratoi logon e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfere 2025/01,
Po ashtu, konform përgjegjësive të saj kushtetuese, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit.