Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua në Bruksel me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të takimeve të parapara të procesit të dialogut.
Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues.
Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve. Zëvendëskryeministri shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen.
Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes. Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final.
Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.
Sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës.
Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit.