Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi sot Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, Giovanni Pietro Barbano.
Gjatë bisedës, u trajtuan çështje të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit, duke u fokusuar në aktualitetin dhe qëllimet e përbashkëta për ligjshmëri, demokraci aktive dhe stabilitet afatgjatë.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe gjithnjë e më substancial për të arritur përparim në këtë drejtim.
Kryetari Konjufca e falënderoi z. Barbano për vizitën dhe vlerësoi kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë, duke theksuar se ai ka ndihmuar në përmirësimin e kapaciteteve të Republikës për të përballuar sfidat e shumta.
Nga ana e tij, Giovanni Pietro Barbano shprehu mirënjohje për pritjen dhe angazhimin për një bashkëpunim më të thellë në fushën e sundimit të ligjit.