Më 20 shtator 2024, në Qendrën Rinore të Deçanit, u mbajt Konferenca e Dytë e Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjin (FER-D) me temën “Perspektivat dhe Strategjitë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm Rajonal në Epokën e Digjitalizimit.” Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkomunal për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, duke theksuar rolin strategjik që luajnë bashkëpunimet lokale në këtë drejtim.
Ndërkohë, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka,” prof. dr. Armand Krasniqi, vuri theksin mbi kontributin që universiteti ofron në përgatitjen e kuadrove të rinj dhe mbështetjen e sektorëve kryesorë për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal. Ai potencoi se universiteti është një faktor thelbësor në avancimin e inovacionit dhe digjitalizimit, duke krijuar një urë lidhëse midis edukimit dhe kërkesave të tregut të punës.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, komunave dhe sektorit privat, ku u diskutuan mundësitë për aplikimin e strategjive inovative dhe digjitale në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Dukagjinit. Strategjitë e digjitalizimit dhe inovacionit u identifikuan si elemente kyçe për përparimin ekonomik të zonës, duke e pozicionuar Dukagjinin në një kontekst më konkurrues në nivel rajonal dhe më gjerë.
Burimi: Faqja zyrtare e Universitetit “Haxhi Zeka” Pejë