Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në zyrën e tij Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen. Takimi i sotëm u fokusua, ndër të tjera, në vizitën e ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e cila do të vijë në Kosovë më 5 shtator. Kryeministri shprehu kënaqësinë për pritjen e ministres Valtonen në Prishtinë dhe në ndërtesën e Qeverisë, ku do të diskutohet për marrëdhëniet bilaterale, çështje të rëndësishme për të dy palët dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e tregtisë dhe mbrojtjes. Si vazhdimësi e takimit të 5 shtatorit, kryeministri dhe ambasadori Nissinen diskutuan për përgatitjet e nevojshme për vizitën e një delegacioni të përfaqësuesve të bizneseve finlandeze, i cili do të shqyrtojë mundësitë dhe avantazhet që ofron vendi ynë për investitorët e huaj.