Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vizituar Komunën e Shtimes, me ç’rast me kryetarin e Komunës, Qemajl Aliu, bashkëbiseduan rreth zhvillimeve në sektorin e bujqësisë në këtë komunë.
“Tashmë, 215 hektarë të tokës bujqësore janë mbuluar me kanalin e kullimit, i cili ka një gjatësi prej 2 km, përmes investimit të Ministrisë së Bujqësisë”, tha Ministri Peci.
Ky projekt kap vlerën prej 336 mijë euro dhe është një investim kyç për përmirësimin e kushteve të ujitjes dhe zhvillimin e bujqësisë në komunë.
Ky investim, sipas ministrit Pecit jo vetëm që do të ndihmojë në rritjen e prodhimit bujqësor, por gjithashtu do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të zonës, duke krijuar kushte më të mira për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë lokale dhe zhvillimin rural në Komunën e Shtimes.