“Mbyllja e pub-eve britanike vazhdon. Në Angli dhe Uells, midis janarit dhe qershorit u mbyllën gjithsej 305 pub-e, ose rreth 50 çdo muaj. Rritja e tatimeve në vitin 2025 mund të bëjë që disa biznese të kenë më shumë vështirësi për të mbajtur dyert e hapura, paralajmërojnë ekspertët. Këto të dhëna janë konfirmuar nga kompania e pasurive të paluajtshme Altus Group, duke iu referuar informacioneve qeveritare. Disa pub-e janë shkatërruar, disa janë shndërruar në apartamente, zyra ose madje kopshte. Spiegel raporton se veriu-perëndimor i Anglisë është goditur më shumë. Numri i lokaleve është duke rënë prej vitesh, sipas të dhënave të ‘Altus’, vetëm nga prilli 2023 deri në mars 2024 janë mbyllur gjithsej 472 lokale. Numri i pub-eve në Angli dhe Uells është zvogëluar në 39,096 në qershor. Në këtë shifër përfshihen gjithashtu lokalët e zbrazët që janë në ofertë për qira, prandaj numri i pub-eve të hapura është edhe më i vogël. Shkaqet janë të shumta: inflacioni i lartë ka rritur shpenzimet për energjinë dhe stafin, ndërsa blerësit kanë shpenzuar dukshëm më pak para. Planet qeveritare për të zgjeruar ndalimin e duhanpirjes në kopshte gjithashtu shkaktojnë shqetësim tek menaxherët dhe pronarët e pub-eve për humbjet e ardhshme të të ardhurave.”