Gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të udhëhequr nga kryetari Bekë Berisha, u shqyrtua dhe u miratua raporti i punës për sesionin vjeshtor 2024, si dhe plani i punës për të njëjtin sesion. Komisioni gjithashtu shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, duke e rekomanduar për shqyrtim në seancë dhe duke formuar një grup pune. Në kërkesë të disa deputetëve, u vendos që ministri i Mbrojtjes të ftohet për të raportuar.
Nga ana tjetër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i drejtuar nga Ferat Shala, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, në të cilën shqyrtoi Raportin plotësues me amendamente të Projektligjit për Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Nënkryetarja Jeta Statovci paraqiti përpara anëtarëve punën e grupit të punës lidhur me amendamentet e bëra. Pas shqyrtimit, anëtarët e komisionit miratuan me shumicë votash Raportin plotësues me amendamente.