Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefen e UN Women në Kosovë, znj. Vlora Nushi.
Takimi u fokusua në përpjekjet e përbashkëta për të avancuar agjendën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në Kosovë, drejt një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Në këtë takim, u rikonfirmua përkushtimi i dyanshëm ndaj përmirësimit të pozitës së grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edukimin, tregun e punës dhe pjesëmarrjen politike.
U vlerësua bashkëpunimi i ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe UN Women, në 25-vjetorin e pranisë së UN Women (UNIFEM) në Kosovë, në përpjekjet për promovimin e të drejtave të grave dhe krijimin e një mjedisi ku gratë dhe vajzat të kenë mundësi të barabarta.
Gjatë takimit të përbashkët ku prezent ishte dhe drejtorja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, u përmend edhe 30-vjetori i Platformës së Pekinit, një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e lëvizjes globale për barazinë gjinore. U diskutua për përparimin e arritur në Kosovë, që nga miratimi i kësaj platforme historike, por gjithashtu u theksua nevoja për të intensifikuar përpjekjet për të adresuar sfidat, përfshirë parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.