Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e nënkryetarit Enver Hoxhaj (zëvendësuar më pas nga nënkryetari Kujtim Shala), me kërkesë të 41 deputetëve mbajti seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës: Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kjo seancë nisi me një minutë heshtje në nderim të komandantit të parë të KFOR-it, gjeneralit Majk Xhekson, i cili ndërroi jetë të martën, më 15 tetor. Më pas, në cilësi të iniciuesit, arsyetimin e thirrjes së kësaj seance e bëri deputeti Ferat Shala. Më pas, në emër të GP të PDK-së fjalën e mori deputeti Abelard Tahiri, i cili adresoi shqetësimin e tij për mostransmetim të kësaj seance në kanalin e parë të RTK-së, duke e konsideruar përmbajtjen e saj mjaft të rëndësishme për opinionin publik.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Armend Zemaj dhe në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, deputeti Besnik Tahiri, theksuan se është me rëndësi të diskutohet në Kuvend për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit.
Debati vijoi edhe me diskutimet e shumë deputetëve të tjerë, pjesëmarrës në këtë seancë.
Kjo seancë u ndërpre me kërkesë të iniciuesit.