SPAK ka dalë me njoftim zyrtar për arrestimin e Ilir Metës, ku bën me dije akuzat dhe veprat penale ndaj tij. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, Ilir Meta akuzohet për veprime korruptive në kontratën CEZ-DIA. Sipas SPAK, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Prokuroria e Posaçme thotë se Ilir Meta, në kohën kur ka qenë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (gjatë Qeverisë Berisha 2), ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura. Sipas SPAK, këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Hetimet e deritanishme të SPAK kanë zbuluar se Ilir Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismail gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”. Kujtojmë këtu se Kastriot Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas organit të akuzës, Ismailaj me anë të falsifikimit e mashtrimit arriti të përvetësojë nga kompania CEZ Shpërndarje rreth 5 milionë Euro.