Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani, Forumi Intelektual Europa 2030
Në një kohë kur Qeveria Kurti pretendon uljen e papunësisë në Kosovë, realiteti tregon se kjo është kryesisht rezultat i largimit masiv të qytetarëve drejt vendeve si Gjermania. Me rritjen e numrit të emigrantëve, në veçanti të të rinjve dhe profesionistëve, një pjesë e mirë e tregut të punës në vend po boshatiset, duke krijuar kështu iluzionin e uljes së papunësisë.
Migrimi i qytetarëve nga Kosova drejt Gjermanisë vazhdon të shënojë rritje të ndjeshme, duke reflektuar tendenca sociale dhe ekonomike që lidhen me kërkesat për punë dhe kushte më të mira jetese. Sipas Statistikave Federale Gjermane, në fund të vitit 2023, numri i banorëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani arriti në 594,000, një rritje e konsiderueshme në krahasim me fundin e vitit 2020, kur kjo shifër ishte 443,000.
Kjo do të thotë që, brenda një periudhe prej tre vitesh, popullsia kosovare në Gjermani është shtuar për 151,000 banorë, një shifër që nënvizon përshpejtimin e këtij fenomeni. Kjo rritje mund të interpretohet si rezultat i faktorëve të ndryshëm, përfshirë kushtet socio-ekonomike në Kosovë, por edhe për shkak të mundësive që ofron tregu gjerman për punëtorët e huaj.
Nëse analizojmë këtë fenomen në kontekstin më të gjerë të migrimit të Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Evropës Perëndimore, ky trend është në përputhje me nevojën në rritje të Gjermanisë për fuqi punëtore, veçanërisht në sektorë si kujdesi shëndetësor, ndërtimi, dhe teknologjia. Ndërkohë, për Kosovën, kjo rritje e migrimit paraqet një sfidë për burimet njerëzore, pasi shumë të rinj dhe profesionistë të kualifikuar po zgjedhin të largohen për një të ardhme më të sigurt jashtë vendit.
Grafiku ilustron rritjen e numrit të banorëve nga Kosova në Gjermani për vitet 2020 dhe 2023. Siç tregohet edhe në tabelë, numri i banorëve në vitin 2020 ishte 443,000, ndërsa në vitin 2023 u rrit në 594,000, duke pasqyruar një shtesë prej 151,000 banorësh.