Artan Nimani nga Forumi Intelektual “Evropa” ka theksuar se ndryshimi politik është i domosdoshëm për të siguruar zhvillim dhe mirëqenie për popullin e Kosovës. Ai paraqiti të dhëna alarmuese për pagat mesatare në Ballkan, ku Kosova vazhdon të qëndrojë në fund të listës me vetëm 570 euro, një shifër shumë më e ulët në krahasim me vendet fqinje.
“Shqipëria ka një pagë mesatare prej 608 eurosh, ndërsa Maqedonia e Veriut arrin në 668 euro. Në krahasim, Serbia dhe Mali i Zi kanë paga mesatare prej mbi 820 eurosh, ndërsa Kroacia është lider me 1,324 euro,” thekson Nimani.
Ai argumenton se këto shifra dëshmojnë dështimin e qeverisë Kurti për të ndjekur politika ekonomike që përmirësojnë standardin e jetesës në nivelin e rajonit. Nimani nënvizon se është e nevojshme një qasje më proaktive dhe e orientuar drejt zhvillimit ekonomik për të adresuar këto probleme dhe për të ndihmuar qytetarët e Kosovës të arrijnë një standard më të mirë të jetesës.