Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin Aivo Orav, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Gjatë këtij takimi, Orav i dorëzoi Presidentes “Raportin për Kosovën 2024” të Komisionit Evropian, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, duke identifikuar gjithashtu sfida në disa të tjera.
Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së si një faktor që do të kontribuonte jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Gjatë diskutimeve mbi gjetjet e raportit, Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për adresimin e mospërputhjeve në fusha të caktuara, duke e vënë theksin mbi rëndësinë e avancimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ajo e cilësoi si prioritet procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, duke kërkuar që ky proces të respektojë parimet e transparencës dhe meritokracisë.
Për më tepër, raporti i sivjetshëm thekson përpjekjet e pandalshme të Presidentes Osmani në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke e vlerësuar vëmendjen e saj të lartë politike për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Organizimi i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mblodhi mbi 1 mijë pjesëmarrës nga mbi 40 vende, është një tjetër shembull i angazhimit të saj në këtë fushë.
Ky raport shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe do të shërbejë si një udhërrëfyes në përpjekjet e saj për integrim evropian dhe avancim të qëndrueshëm në drejtimin e reformave.