Mund të thuhet se në SHBA ka nisur “lufta e madhe mes gomarit dhe elefantit”. Kafshët janë simbolet e përdorura nga dy partitë më të mëdha politike, ajo Demokratike dhe ajo Republikane. Demokratët përfaqësojnë veten me një simbol gomari dhe republikanët me një elefant. Të dyja imazhet vijnë nga karikaturat politike të shekullit të 19-të.
Gomari demokrat
Gomari u përmend për herë të parë në lidhje me demokratët në fushatën presidenciale të kandidatit të partisë Demokratike Andrew Jackson në 1828. Kundërshtarët e tij e etiketuan atë me termin nënçmues “jackass”, që do të thotë “gomar”, ndoshta për shkak të pikëpamjeve të tij mjaft populiste dhe personalitet i pacipë. Karikaturisti amerikan Thomas Nast nga shekulli i 19-të gjithashtu e ka përshkruar gomarin disa herë në lidhje me Partinë Demokratike, përkatësisht në gazetën Harper’s Weekly. Karikaturat e tij ishin shumë të pëlqyera nga publiku. Pavarësisht konotacionit negativ me të cilin u portretizua “gomari demokrat”, demokratët nuk e morën atë si të keqe. Siç shkroi historiani amerikan John William Ward në librin e tij për Jackson, demokratët e pëlqyen imazhin, sepse gomari përfaqëson përulësinë, besnikërinë dhe punën e palodhur, që simbolikisht përfaqëson njeriun e zakonshëm. Prandaj, ata miratuan me kënaqësi imazhin. E megjithëse gomari nuk është simboli zyrtar i Partisë Demokratike, imazhi ka mbetur edhe sot e kësaj dite.
Elefanti republikan
Edhe elefanti si simbol republikan e ka origjinën nga karikaturat e Thomas Nast. Në një nga karikaturat e vitit 1874, ai shënoi një elefant me mbishkrimin “Vota republikane”. Ai përdori edhe imazhin e një elefanti në raport me republikanët më vonë. Megjithëse Nast, si gomari, zakonisht e përdorte elefantin në kontekste sarkastike, elefanti përfaqëson forcën, mençurinë dhe besueshmërinë. Dhe me sa duket anëtarët e Partisë Republikane dhe mbështetësit e tyre panë në të cilësitë që i përshtaten platformës së tyre politike dhe e morën elefantin si të tyren. Ndryshe nga gomari i demokratëve, elefanti me ngjyrë të kuqe u bë simboli zyrtar i Partisë Republikane.