Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në një takim delegacionin e USAID, të kryesuar nga Ndihmës Administratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi, ambasadorja Elizabeth McKee, dhe Drejtori i Misionit, James Hope, të shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të USAID, e cila këtë vit shënon 25-vjetorin e saj në Kosovë. Ai theksoi rëndësinë e ndihmës së dhënë në reformat qeveritare, përfshirë tranzicionin energjetik, prokurimin publik, luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit.
Kryeministri vuri në pah bashkëpunimin në arritjen e vlerësimit të parë kreditor sovran të Kosovës nga Fitch Ratings, një hap i rëndësishëm që, së bashku me Agjencinë e Investimeve dhe Eksportit të sapoformuar me mbështetjen e USAID, do të nxisë tërheqjen e investimeve të huaja.
Ambasadorja McKee dhe kryeministri Kurti diskutuan gjithashtu për zbatimin e projekteve ekzistuese dhe mundësitë për bashkëpunime të reja, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke theksuar angazhimin për forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.