Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka inauguruar zyrtarisht Ambasadën e Kosovës në Kolumbi. Ceremonia e hapjes u mbajt në Bogota, kryeqyteti i Kolumbisë, në prani të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për rritjen e prezencës diplomatike të Kosovës në Amerikën Jugore. Ajo kujtoi diskutimet dhe marrëveshjen me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, të arritur dy vite më parë, që tashmë është bërë realitet.
“Punë të mira na presin, komunikim i rregullt dhe bashkëpunim në dobi të shtetit tonë,” tha Presidentja Osmani, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të zgjerimit të rrjetit diplomatik të Kosovës në këtë rajon të botës.
Presidentja shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti dhe riafirmoi përkushtimin e Kosovës për të forcuar lidhjet ndërkombëtare me Kolumbinë dhe vendet e tjera të Amerikës Jugore.