Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka realizuar një akt simbolik duke vendosur Flamurin Kombëtar Shqiptar në hapësirën e jashtme të objektit të komunës. Kjo ngjarje është shoqëruar me një video të publikuar nga Sinani në rrjetet sociale, ku ajo shkruan: “Flamuri Kombëtar Shqiptar në zemër të Preshevës”.
Në sfondin e videos, dëgjohet kënga e njohur “O ku ka si ti o Shqipëria ime”, një simbol i dashurisë dhe krenarisë kombëtare. Ky veprim i Kryetares Sinani është pritur me entuziazëm nga qytetarët, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe nderimit të simbolikës kombëtare edhe në këtë pjesë të Shqipërisë etnike.
Ky moment i veçantë në Preshevë është një tjetër shenjë e lidhjes së pandashme të shqiptarëve me flamurin dhe identitetin e tyre kombëtar.