Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar sonte mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku është miratuar lista finale e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh i kënaqur me përbërjen e listës, duke e cilësuar atë si ekipin që do të realizojë objektivat e mëdha për Kosovën.
“Krenar me listën fituese për Kosovën Fituese! Në mbledhjen e sotme kemi miratuar një ekip të fuqishëm profesionistësh, ekspertësh dhe të rinjsh të përkushtuar për t’i shërbyer Kosovës,” deklaroi Haradinaj pas miratimit të listës.
Ai theksoi se secili kandidat është përzgjedhur me kujdes për të mishëruar vlerat kryesore të partisë: integritetin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të vendit.
“Me këtë ekip do të realizojmë anëtarësimin direkt në NATO, do të forcojmë ekonominë dhe do të krijojmë mundësi të reja për çdo qytetar. Kjo listë është alternativa serioze që Kosova meriton për të ndërtuar një të ardhme më të mirë,” u shpreh Haradinaj.
AAK ka deklaruar se me këtë përbërje synon të jetë një forcë udhëheqëse në proceset vendimtare për vendin, duke u angazhuar për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët.