Prokuroria ka njoftuar se synon t’i thërrasë tre dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Këtë e ka bërë të ditur prokurori Joshua Hafetz gjatë seancës së fundit gjyqësore, duke theksuar se disa nga dëshmitarët lidhen me dokumentacionin mbështetës të aktakuzës.
“Është e vërtetë që ne synojmë të thërrasim tre dëshmitarë të paktën, duke përshirë atë që është i përmendur me emër apo mbi të cilin është dokumentacioni mbështetës i aktakuzës”, tha Hafetz, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësit kundër kufizimeve në prova
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës shprehën shqetësime lidhur me materialet dhe informacionet e disponuara nga Prokuroria. Avokati Bes Martenes, që përfaqëson Bashkim Smakajn, tha se dokumentet e siguruara janë të redaktuara dhe informacione të caktuara mungojnë. Ai theksoi veçanërisht kufizimet lidhur me dokumentet e sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e Smakajt dhe të dhënat telefonike.
“Mbrojtja aktualisht nuk mund të bëjë asnjë hetim dhe nuk mund të vazhdojë me hapat e nevojshëm. Rezervojmë të drejtën për të marrë hapa kur të jetë e përshtatshme”, deklaroi Martenes.
Nga ana tjetër, avokati Michiel Pestman, që përfaqëson Fadil Fazliun, tha se nuk ka pasur ende qasje në telefonin e klientit të tij dhe informacionet përmbajtësore në të.
“Unë nuk e kam parë ende telefonin e klientit tim, prandaj nuk di çfarë informacioni gjendet aty”, tha Pestman, duke kërkuar qartësime se me cilin nga të akuzuarit lidhen dëshmitarët e Prokurorisë.
Prokuroria mbetet në qëndrimin e saj
Prokurori Joshua Hafetz u kundërpërgjigj duke thënë se disa nga kërkesat e mbrojtjes janë të parakohshme. Ai siguroi se Prokuroria do të vazhdojë diskutimet lidhur me informacionet nga telefonat e sekuestruar, por vetëm nëse këto informacione lidhen drejtëpërdrejt me rastin gjyqësor.
“Nuk do të nxjerrim materiale që bien në kundërshtim me rregullat, por vetëm ato që lidhen me çështjen”, theksoi Hafetz.
Gjykatésja Masselot: Avokatët duhet të kenë qasje
Gjyqtarja Marjorie Masselot në seancë ngriti mundësinë se vështirësitë e krijuara mund të jenë rezultat i aspekteve teknologjike dhe se mbrojtja do të duhej të kishte qasje në dokumentacionin përkatës.
“Avokatët duhet të sigurojnë qasje në dokumentet që ofrojnë informacion lidhur me pajisjet e sekuestruara”, tha Masselot.
Pozicioni i mbrojtjes
Avokatët e të akuzuarve vazhduan me qëndrimet e tyre se mbrojtja ende nuk ka materialet e duhura për të vazhduar hetimet. Alexander Admiral, që përfaqëson Hajredin Kuçin, nuk pati parashtrime të reja, ndërsa Iain Edwards, avokati i Isni Kilajt, kritikoi Prokurorinë për kufizimin e diskutimeve lidhur me informacionet telefonike.
“Prokuroria nuk ka të drejtë të konsiderojë të parakohshme kërkesat tona lidhur me qasjen në informacionin nga telefonat e klientëve”, deklaroi Edwards.
Pritja vazhdon
Përfaqësuesit e mbrojtjes, përshirë ata të Thaçit dhe Kilajt, deklaruan se janë ende në pritje të materialeve të nevojshme për të zhvilluar mbrojtjen e tyre.
“Ëdo përparim varet nga materialet që do të na vihen në dispozicion”, theksoi Martenes.
Seanca e radhës pritet të hedhë më shumë dritë mbi kërkesat dhe qasjen e Prokurorisë në lidhje me provat që do të paraqiten në gjykim.