Zgjedhjet e 9 shkurtit po afrohen dhe tashmë është hedhur shorti për renditjen e partive politike në fletëvotim. Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e para me numrin 118, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të jetë e dyta me numrin 131. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta me numrin 124, kurse koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Social Demokrate do të ketë numrin 137. Këto janë disa nga partitë më të njohura që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Ja numrat e disa prej partive të tjera:
- Lëvizja Vetëvendosje (VV) – 118
- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 131
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 124
- AAK – Nisma – 137
- Koalicioni për Familjen – 129
- Partia e Ashkalinjëve për Integrim – 123
- Demokracia Serbe – 116
- Lista Serbe – 112
- Ynekilici Turk – 130
- Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – 114
- PDAK – LPB – 125
- Gradanjska Iniciativa – 126
- Nasha Bosnjaska Koalicia – 121
- Partia kosovksi srba – 120
- Srpski narodni proket – 133
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se procesi i votimit jashtë Kosovës do të fillojë më 9 janar, duke u zhvilluar përmes postës. Fushata zgjedhore do të nisë më 11 janar. Ai theksoi se KQZ-ja ka përfunduar shumicën e përgatitjeve dhe i ftoi të gjitha partitë të respektojnë ligjet dhe rregullat zgjedhore.
Në top pesëshen e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, partia ka renditur liderin e saj, Albin Kurtin, për kryeministër, bashkë me figura të njohura si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari dhe Albulena Haxhiu. Pavarësisht se ende nuk ka prezantuar një program zgjedhor të detajuar, Vetëvendosje ka theksuar nëpër tubime angazhimin për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përfshirë Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër, duke vijuar me emra si Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri dhe Gazmend Muhaxheri. LDK ka shpallur programin e saj të quajtur “Rruga e Re”, që fokusohet në investime të mëdha infrastrukturore dhe projekte kapitale.
Partia Demokratike e Kosovës, me Bedri Hamzën në krye si kandidat për kryeministër, ka përfshirë në listën e saj emra të njohur si Memli Krasniqi, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj. PDK ka botuar më parë programin qeverisës të saj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, së bashku me Nismën Social Demokrate dhe koalicione të tjera të partive më të vogla, synon forcimin e pozicionit të Kosovës, duke e quajtur një nga objektivat e saj anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Pritjet janë të mëdha për këto zgjedhje, dhe tani më shumë se kurrë, partitë po përgatiten për fushatën që do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit.