Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi sot fshatin Reçak, duke nderuar viktimat e masakrës së ndodhur 26 vite më parë. Ajo e cilësoi Reçakun si një fshat të vogël me një histori të madhe, ku u shënua një nga aktet më mizore në historinë e kësaj pjese të Evropës.
“Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më,” tha Presidentja Osmani gjatë fjalimit të saj.
Gjatë vizitës, Presidentja u takua me të rinj, të reja dhe fëmijë të fshatit, duke i cilësuar ata si pasardhës të viktimave dhe si simbol të pathyeshmërisë së popullit të Kosovës. “Ata janë brezi i ri i Reçakut, që dëshmojnë qëndresën e popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe,” theksoi ajo.
Masakra e Reçakut, e ndodhur më 15 janar 1999, konsiderohet një nga momentet më tragjike të luftës në Kosovë, kur forcat serbe vranë brutalisht 45 civilë shqiptarë. Ky akt i dhunës tronditi opinionin botëror dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë.
“Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut!” përfundoi Presidentja Osmani, duke theksuar se kujtimi i tyre do të mbetet i përjetshëm dhe si një përkujtim i vazhdueshëm për sakrificat e popullit të Kosovës për liri e dinjitet.