Banorja transgjinore e “Big Brother VIP”, Amber, ka marrë vendimin për t’u larguar nga gara pas përjetimit të asaj që e quajti si sjellje denigruese dhe bullizim nga disa prej banorëve. Ajo doli nga televotimi kokë më kokë me G Banin dhe Jozi-n, ku zarf i zi përcaktonte vendimin për sjelljet e tyre.
Amber deklaroi se ka qenë viktimë e bullizmit dhe presionit psikologjik nga disa prej konkurrentëve, duke përmendur Gjesti-n dhe Livian si shkaktarët kryesorë. “Gjesti më tha se do të më çonte për striptizëm. Livia më quajti aktore pornostare dhe më vuri emrin tim në tualet. Kam gjithë ditën që e mendoj, kam presion psikologjik të jashtëzakonshëm,” tha Amber gjatë momentit të njoftimit të largimit.
Pavarësisht përpjekjeve të disa banorëve për ta bindur të qëndrojë, Amber ishte e vendosur në qëllimin e saj për të ndërprerë garën. Ajo e cilësoi përvojën e saj brenda shtëpisë si të rënduar nga sjelljet e disa prej banorëve, duke u shprehur se nuk mund të toleronte më situatën.
Vendimi i Amber-it ka ngjallur reagime të ndryshme nga publiku dhe fansat e spektaklit, me shumë prej tyre që kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për të në rrjetet sociale. Në anën tjetër, produksioni i “Big Brother VIP” ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjet dhe akuzat e ngritura nga Amber.
Ky largim risjell në vëmendje debatin mbi rëndësinë e trajtimit me respekt dhe barazi në një format televiziv, i cili ndikon drejtpërdrejt tek audienca e tij e gjerë.