Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), i cili përfshin Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Davos të Zvicrës, ku kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesit e EFTA-s theksuan përfitimet e ndërsjella që do të sjellë kjo marrëveshje.
Marrëveshja synon lehtësimin e tregtisë mes palëve, duke përfshirë mundësi për eksport dhe import pa tarifa doganore për mallrat me origjinë nga Kosova. Deri më tani, prodhuesit kosovarë janë detyruar të paguajnë deri në 10% tarifë doganore për eksportet në vendet e EFTA-s.
Kryeministri Kurti e quajti këtë marrëveshje një moment historik për integrimin ekonomik të Kosovës në tregjet evropiane. “Kjo marrëveshje krijon një kornizë të re për marrëdhënie tregtare dhe ofron mundësi të reja për eksport dhe integrim ekonomik,” tha ai.
Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, vlerësoi përfshirjen e Kosovës si arritje të madhe. “Jam e bindur se kjo do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të krijojë mundësi për bizneset dhe qytetarët,” deklaroi ajo.
Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ka përfshirë shërbimet në një marrëveshje të tillë, një hap që kërkoi mbi dy vjet negociata. EFTA raportoi se tregtia mes vendeve anëtare dhe Kosovës ka arritur në mbi 176 milionë euro dhe pritet të rritet më tej pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Përveç tregtisë së mallrave, marrëveshja përfshin edhe shërbimet financiare dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Kjo hap dyer për investime të huaja dhe rritje ekonomike, një qëllim kyç për qeverinë kosovare.
EFTA, e krijuar në vitin 1960, synon promovimin e tregtisë së lirë. Përveç kësaj marrëveshjeje, Kosova ka një Marrëveshje për Tregti të Lirë edhe me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA), që synon rritjen e tregtisë dhe eliminimin e barrierave mes shteteve të rajonit.