Danimarka ka përsëritur refuzimin e saj ndaj çdo përpjekjeje të Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Grenlandës, pas deklaratave të presidentit të SHBA, Donald Trump. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi qartë se Grenlanda i përket popullit të saj, duke theksuar të drejtën e grenlandezëve për vetëvendosje në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Grenlanda është Grenlandë. Populli grenlandez është një popull dhe ka të drejtën për të vendosur mbi statusin e territorit të tyre,” tha Rasmussen gjatë një konference për shtyp, raporton agjencia AFP.
Danimarka kërkon mbështetje ndërkombëtare
Përballë tensioneve dhe kërcënimeve të mundshme nga SHBA për Grenlandën, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka nisur një tur diplomatik për të siguruar mbështetje nga aleatët europianë. Ajo u takua në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe më pas në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Në përfundim të takimit me Scholz, të dy liderët theksuan rëndësinë e respektimit të kufijve territorialë, duke nënvizuar se “kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë”, pa përmendur drejtpërdrejt Donald Trump.
Në Paris, Frederiksen dhe Macron diskutuan për qasjet e përbashkëta ndaj sfidave të Evropës, duke përfshirë edhe sigurinë në Arktik.
Franca gati të dërgojë trupa në Grenlandë
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, në një intervistë për radion Radio Sud, tha se Franca është e gatshme të dërgojë trupa në Grenlandë, nëse Danimarka e kërkon këtë. “Nëse Danimarka kërkon solidaritet nga vendet e BE-së, Franca do të përgjigjet pa hezitim,” tha ai. I pyetur për mundësinë e vendosjes së trupave në ishull, Barrot shtoi: “Pse jo.”
Danimarka ka paralajmëruar se në rast të një kërcënimi ndaj interesave të saj në Grenlandë, do të kërkojë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë.
Investime të reja në sigurinë e Arktikut
Kryeministrja Frederiksen pritet të vizitojë sot edhe Brukselin, ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Vizita e saj ndodh menjëherë pas njoftimit të qeverisë daneze për një plan investimi prej dy miliardë eurosh në sigurinë e Arktikut dhe Atlantikut të Veriut.
Këto masa synojnë të përforcojnë praninë daneze në rajon, ndërsa Danimarka kërkon të sigurojë sovranitetin dhe interesat strategjike në territorin e Grenlandës.
Polemika për Grenlandën dhe tensionet SHBA-Danimarkë
Kjo situatë ka nxjerrë në pah një debat më të gjerë mbi sigurinë në Arktik dhe synimet gjeopolitike të fuqive globale. Ndërsa SHBA kanë shprehur hapur interes për Grenlandën, Danimarka dhe aleatët e saj në Evropë janë të vendosur të mbrojnë sovranitetin e ishullit dhe të parandalojnë çdo tentativë ndërhyrjeje të jashtme.