Presidenti amerikan Donald Trump flet aq shumë, sa stenografët përgjegjës për transkriptimin e deklaratave të tij publike e kanë të vështirë ta ndjekin. Për këtë arsye, Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e punësimit të stafit shtesë për të përballuar ngarkesën e punës, shkruan Associated Press (AP).
Gjatë ditës së tij të inaugurimit, Trump foli mbi 22,000 fjalë, ndërsa gjatë vizitave në Karolinën e Veriut dhe Kaliforni, numri i fjalëve të tij arriti në 17,000. Sipas burimeve të njohura me këtë çështje, diskutimet për shtimin e stafit stenografik janë intensifikuar për shkak të fluksit të madh të fjalimeve të presidentit.
Sipas Factba.se, gjatë javës së parë të mandatit të tij presidencial, Trump foli për 7 orë e 44 minuta dhe shqiptoi 81,235 fjalë, një shifër që tejkalon numrin e fjalëve të Makbethit, Hamleti dhe Richard III të Shekspirit së bashku, raporton AP.
Në krahasim me tetë vjet më parë, kur ai mori për herë të parë detyrën, Trump foli në kamera për 3 orë e 41 minuta dhe shqiptoi 33,571 fjalë.
Nga ana tjetër, ish-presidenti Joe Biden, gjatë javës së tij të parë në detyrë katër vjet më parë, kaloi 2 orë e 36 minuta duke folur në kamera dhe përdori gjithsej 24,259 fjalë, sipas AP.