Jean-Philippe Mateta shënoi dy gola, duke thelluar krizën e Manchester United në Premier League, teksa Crystal Palace triumfoi 2-0 në “Old Trafford” të dielën.
Kjo ishte humbja e pestë e United në gjashtë ndeshjet e fundit të ligës në shtëpi, duke i zbritur ata në vendin e 13-të në tabelë, ndërsa Palace ngjitet në vendin e 12-të.
Trajneri Ruben Amorim mori vendimin befasues për ta nisur ndeshjen me Kobbie Mainoo si sulmues, përpara Rasmus Højlund dhe Joshua Zirkzee. Eksperimenti i tij pothuajse dha rezultate të menjëhershme, pasi mesfushori anglez goditi shtyllën në minutat e para.
Megjithatë, entuziazmi fillestar i United u shua shpejt. Crystal Palace filloi të rrezikonte, fillimisht me Tyrick Mitchell dhe më pas me Mateta. Në pjesën e dytë, miqtë gjetën mënyrën për të konkretizuar dominimin e tyre.
Mateta shënoi golin e parë në minutën e 60-të, duke përfituar nga një top i kthyer pas një goditjeje me kokë të Maxence Lacroix, e cila u përplas në traversë. Probleme të tjera u shfaqën për United, pasi Lisandro Martínez u detyrua të largohej me barelë 10 minuta më vonë, pas një dëmtimi në gju nga një duel me Ismaïla Sarr.
Mateta vulosi fitoren e Crystal Palace në minutën e 91-të, duke realizuar golin e dytë pas një krosimi perfekt nga Daniel Muñoz.
Manchester United do të kërkojë të harrojë këtë humbje dhe të rikuperohet në FA Cup, ku të premten pret Leicester Cityn në raundin e katërt, përpara një sfide të vështirë kundër Tottenhamit javën e ardhshme.