Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 11:00, 4.390 persona kanë votuar, që përbën 21.60% të votuesve të regjistruar. Për këto zgjedhje, janë regjistruar gjithsej 20.324 votues në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Përqindja më e lartë e daljes në zgjedhje është regjistruar në Ambasadën e Kosovës në Bern, Zvicër, ku 37.44% e 967 votuesve të regjistruar në dy vendvotime kanë votuar deri në orën 11:00.
Nga ana tjetër, dalja më e ulët është raportuar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, Maqedoninë e Veriut, ku nga 55 votues të regjistruar, vetëm 6 prej tyre kanë votuar, ose 10.91%.
Votimi ka nisur në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Evropë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada do të fillojë në orën 13:00, sipas kohës lokale të Kosovës.
Për këtë proces zgjedhor, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime që ndodhen në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete të ndryshme të botës.