Draft-raportet për Serbinë dhe Kosovën u prezantuan sot para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). Dokumentet theksojnë nevojën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe përshpejtimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit.
Raportet përfaqësojnë qëndrimin e Parlamentit Evropian mbi raportet vjetore 2023 dhe 2024 të Komisionit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, të cilat mbulojnë dy vite për shkak të zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Evropian. Pritet që këto dokumente të miratohen në AFET në javët në vijim dhe më pas të kalojnë për votim në seancë plenare.
Serbia dhe rruga drejt BE-së
Në fjalën e tij hyrëse, Tonino Picula, raportuesi i PE për Serbinë, theksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Draft-raporti për Serbinë konfirmon përkushtimin strategjik të vendit ndaj integrimit evropian, por thekson mangësi serioze në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, funksionimi i gjyqësorit dhe përafrimi me politikën e jashtme të BE-së.
“Serbia ka deklaruar synimin e saj për t’u anëtarësuar në BE dhe ambicien për t’u përafruar plotësisht me acquis të BE-së deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, ajo duhet të dëshmojë me vepra përkushtimin strategjik ndaj BE-së dhe të përcjellë një mesazh të qartë dhe objektiv mbi këtë synim,” deklaroi Picula.
Raporti vëren me shqetësim përparimin e kufizuar të Serbisë në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në kapitujt e negociatave, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe përafrimin me politikat e BE-së. Për më tepër, nuk ka përparim në Kapitullin 31, pasi Serbia nuk ka ndryshuar qasjen e saj ndaj politikës së jashtme të BE-së.
Duke iu referuar krizës aktuale politike dhe sociale në Serbi, Picula theksoi se protestat studentore kanë vënë në pah çështje të rëndësishme si liritë civile, transparenca institucionale dhe llogaridhënia financiare.
Ai gjithashtu dënoi sulmet e dhunshme ndaj protestuesve paqësorë dhe kritikoi autoritetet serbe për “akuza të pabazuara ndaj vendeve anëtare të BE-së”, duke pretenduar se ato kishin një rol në organizimin e protestave.
Kosova dhe perspektiva evropiane
Në prezantimin e draft-raportit për Kosovën, Riho Terras, raportuesi i PE për Kosovën, deklaroi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga “zona gri” janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ai bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke argumentuar se ato “nuk janë më të justifikuara dhe bien në kundërshtim me përkushtimin e demonstruar të Kosovës ndaj vlerave evropiane”.
Terras gjithashtu theksoi nevojën që shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt. Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të rifillojë dialogun me Serbinë dhe të ketë një “qasje proaktive” ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
“Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare është e rëndësishme dhe duhet inkurajuar. Përfaqësuesit e tyre të zgjedhur duhet të luajnë një rol aktiv brenda institucioneve të Kosovës për të kontribuar në një të ardhme më të begatë për vendin,” tha Terras.
Draft-raporti për Kosovën vë në dukje “progresin e dukshëm” në fusha të rëndësishme si drejtësia, liria dhe siguria, lufta kundër krimit të organizuar dhe krijimi i një ekonomie funksionale të tregut. Megjithatë, ai shpreh keqardhje për përparimin e kufizuar në fushën e sundimit të ligjit.
Pritshmëritë për hapat e ardhshëm
Të dy raportet do të diskutohen më tej në javët në vijim në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Pas miratimit në AFET, ato do të kalojnë për votim në seancën plenare të PE-së, ku do të përcaktohet qëndrimi përfundimtar i Parlamentit Evropian mbi ecurinë e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit në BE.