Të nderuar qytetarë të Gjilanit, media dhe akterë të tjerë!
Duke marrë parasysh se po qarkullojnë lajme të ndryshme në media lidhur me rastin e dorëheqjes sime dhe dyshimet rreth hyrjes së paautorizuar në ish-zyrën time, ftoj të gjitha palët që të jenë korrekt ndaj kësaj ndodhie të pakëndshme në ish-drejtorinë time.
Pavarësisht versioneve të publikuara në lajme (për të cilat nuk mbaj përgjegjësi), ju njoftoj se tek zyrtarët policor kam përshkruar vetëm anën objektive të ngjarjes, atë që ishte evidente dhe e vërtetë atë ditë. Derën kam mbyllur kur kam dalë nga zyra dhe e kam gjetur të hapur, e ky fakt iu është prezantuar zyrtarëve policor. Por asnjëherë nuk kam përmendur format apo mënyrat e futjes së paautorizuar në zyrën time apo edhe emra të dyshuarish.
Andaj, lutem që të mos politizohet kjo situatë nga asnjë parti politike për të filluar beteja politike. Unë, pozicionin që kam mbajtur e kam pranuar në bazë të ekspertizës profesionale e jo partiake. Por, fatkeqësisht, disa persona, mbi shërbimin e qytetarëve dhe përkatësinë partiake, kanë vendosur interesat personale, dhe kjo ka qenë e papranueshme për mua. Dorëheqja ime nuk duhet shfrytëzuar për të sulmuar një parti politike me të cilën unë nuk kam kurrfarë lidhje. Me këtë rast dua të falënderoj të gjitha partitë politike që kanë pasur qasje shumë të mirë ndër-institucionale e ndër-kolegiale me mua gjatë ushtrimit të detyrës sime.
Megjithëse lajme të ndryshme kanë qarkulluar këto ditë, brengosëse për mua kanë qenë lajmet që kanë theksuar “planet për të më zëvendësuar nga një asambleiste” dhe të tjera informacione, për të cilat kam pritur dhe kërkuar nga kryetari i Komunës që t’i mohojë/demantojë, por një gjë të tillë ai nuk e ka bërë.
Dorëheqja ime nuk ka qenë e lidhur vetëm me këtë ngjarje, por është rezultat i shumë arsyeve të tjera. Nga pikëpamja ime profesionale, buxheti i miratuar nga Kuvendi Komunal për vitin 2025 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2026-2027, vendimet e dalura nga ky institucion në krahasim me procesverbalin e mbledhjes për votimin e buxhetit komunal për vitin 2025 kanë qenë në diskrepancë të madhe dhe nuk janë përputhur, ndonëse ka qenë dashur të jenë identike. Qëndrimi im lidhur me këtë çështje ka qenë publik, por si duket ka pasur interes të dikujt aty që qëndrimi im profesional të mos merret parasysh dhe të krijohet një situatë e mjegullt.
Për këtë është njoftuar edhe Kryetari i Komunës, të cilin e kam njoftuar disa herë, madje kam kërkuar (përmes e-mailit zyrtar) të organizoj edhe mbledhje me shefat e grupeve të asambleistëve dhe aktorë të tjerë, por nuk kam vërejtur se ai ka shprehur interesim për këtë çështje kaq të rëndësishme.
Asnjëherë nuk kam lejuar që askush t’i shfrytëzojë politikisht interesat e qytetarëve të Gjilanit, lidhur me paqartësitë në çështjet e buxhetimit, e veçanërisht sa i përket heqjes së disa investimeve të mëdha kapitale, pasi kjo situatë nuk duhej shfrytëzuar për të futur të tjerët në gabime procedurale dhe lajthitje që mund të kenë pasoja ligjore. Situata ende është e pazgjidhur dhe mund të sjellë probleme më vonë.
Kontributi im për Gjilanin ka qenë profesional, e jo politik, dhe ashtu ka mbetur deri në fund. Puna ime ka qenë e ndershme dhe e sinqertë. Tani, me dëshirën më të madhe, po kthehem tek profesioni më sublim që kam ushtruar gjithmonë, ku do të ofroj kontributin tim shkencor në zhvillimin e vendit tim dhe komunitetit shkencor në përgjithësi.
Sinqerisht,
Herolinda Murati Leka