Pas sukseseve të modelit kinez DeepSeek që tronditi botën në fillim të këtij viti, një tjetër laborator kinez ka prezantuar një arritje të re të teknologjisë, duke zbuluar modelin e tij të inteligjencës artificiale, Manus, më 6 mars. Manus nuk është një thjesht një chatbot, por një agjent autonom që mund të mendon, planifikon dhe realizon detyra pa pasur nevojë për udhëzime të jashtme.
Sipas Ji Yicaos, bashkëthemeluesit dhe shefit shkencor të Manus AI, ky model është një hap i madh përpara në zhvillimin e inteligjencës artificiale të përgjithshme (AGI), pasi është në gjendje të lidhë hendekun midis idesë dhe realizimit të saj. “Manus është një agjent vërtet autonom, që nuk është thjesht një chatbot, por një sistem që mund të marrë dhe të ekzekutojë vendime të pavarura,” tha Yichao në një video prezantimi.
Manus është zhvilluar nga Monica, një kompani kineze e udhëhequr nga 33-vjeçari Xiao Hong, i cili ka krijuar modelin bazuar në filozofinë e “më pak strukturë, më shumë inteligjencë”. Pavarësisht se aktualisht është në fazë testimi dhe është në dispozicion vetëm për përdorues të ftuar, ky model ka tërhequr vëmendjen për aftësitë e tij të avancuara. Sipas portalit Hybrid Rituals, një kod beta për Manus mund të arrijë një çmim deri në 100 mijë juanë (rreth 12,700 euro) në tregun e zi të Kinës.
Një hap para konkurentëve të mëdhenj të SHBA-së
Si DeepSeek, Manus ka ngjallur pyetje mbi avantazhin teknologjik të SHBA-së në garën globale për dominim në fushën e inteligjencës artificiale. Disa ekspertë po e konsiderojnë këtë si një “moment DeepSeek” tjetër për Kinën, pasi konkurrentët amerikanë si OpenAI, Meta Platforms dhe Amazon ende nuk kanë arritur të zhvillojnë agjentë të tillë autonomë, edhe pas investimeve të mëdha në teknologjinë e chatbot-eve dhe asistentëve të inteligjencës artificiale.
Si funksionon Manus dhe çfarë mund të bëjë?
Manus është një agjent i inteligjencës artificiale që ka aftësinë të kryejë detyra të ndryshme të ndërlikuara, duke menduar dhe planifikuar pa pasur nevojë për ndërhyrjen e një njeriu. P.sh., ai mund të analizojë dhe të renditë aplikimet për punë, të analizojë tregun e pasurive të paluajtshme, të krijojë faqe interneti dhe të ofrojë analiza të detajuara për lëvizjet e aksioneve. Për më tepër, Manus është në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur pa kërkuar angazhim aktiv nga përdoruesi, duke përdorur cloud computing për të realizuar operacionet në sfond, edhe kur kompjuteri është i mbyllur.
Çështje etike dhe rregullative
Megjithatë, zhvillimi i kësaj teknologjie të avancuar ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe privatësinë, veçanërisht për shkak të lidhjeve të tij me Kinën. Kjo ka ngritur dyshime për mundësinë që të dhënat e përdoruesve mund të dërgohen në serverat në Kinë, ku të gjitha kompanitë kineze janë të detyruara të respektojnë ligjet dhe rregullat e censurës. Ekspertët gjithashtu ngrejnë çështjen e autonomisë dhe përgjegjësisë, duke pyetur se kush do të mbajë përgjegjësi nëse një agjent i AI shkakton dëme të mundshme.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se autoritetet kineze ende nuk kanë vendosur rregulla të qarta për menaxhimin e inteligjencës artificiale. Po ashtu, kompania mëmë e Monica, Butterfly Effect, është e regjistruar në Singapor, megjithatë ekipi i Manus AI është i bazuar në Kinë.
Kina po dominon fushën e inteligjencës artificiale
Në një kohë kur Manus ka shënuar një avancim të madh, vetëm një ditë pas prezantimit të tij, gjiganti kinez Alibaba ka lansuar modelin e tij të parë të inteligjencës artificiale, QwQ-32B, duke e konsideruar atë më të avancuar se konkurrentët si OpenAI-01-mini dhe DeepSeek-R1. Në këtë mënyrë, Kina po i jep një tjetër shtysë zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe konkurrencës globale në këtë fushë.
Zhvillimet e fundit sugjerojnë se modeli i avancuar Manus dhe ai i Alibaba mund të kenë një ndikim të madh në garën globale për inteligjencën artificiale, duke përshpejtuar konkurrencën mes SHBA-së dhe Kinës, shkruan CNN.