Partitë opozitare nga legjislatura e kaluar, PDK, LDK dhe AAK, kanë komunikuar dhe kanë pasur takime lidhur me mundësinë e formimit të qeverisë nga opozita.
Ndonëse këto takime nuk janë zyrtare, Ahmet Isufi nga AAK ka thënë se ka takime përmes njerëzve që janë në strukturat udhëheqëse të partive.
Ai ka shtuar se këto takime nuk janë zyrtare dhe nuk diskutohet për ndarjen e përgjegjësive.
“Nuk ka pasur takime të drejtpërdrejta dhe zyrtare për ndarjen e përgjegjësive qeverisëse, por komunikimi ka qenë normalisht përmes njerëzve që janë në strukturat udhëheqëse. Nuk ka pasur takim zyrtar për të ndarë përgjegjësitë, pasi ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve,” ka thënë Isufi.
Ai ka theksuar se AAK nuk do të jetë pengesë për formimin e qeverisë nga opozita dhe se nuk këmbëngulin me çdo kusht për postin e kryeministrit.
“Ne e kemi theksuar se nuk jemi shumë të interesuar që me çdo kusht ta kemi kryeministrin, sepse ne duam një qeveri funksionale. Edhe z. Haradinaj ka shprehur se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi kryesore, vetëm nëse pajtohen partnerët politikë. Natyrisht, përgjegjësia nuk i ka ikur dhe nuk i ikën, por nuk do të bëhemi pengesë për një koalicion të opozitës që mund ta udhëhoqë vendin,” ka thënë Isufi.
Ndryshe, rezultati preliminar i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk i mundëson asnjë partie të formojë qeverinë e vetme. Ndonëse VV ka 48 ulëse në Kuvend, Kurti është shprehur i bindur se qeverinë e re do ta drejtojë Vetëvendosje dhe ai do të jetë kryeministër.
Por partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me Vetëvendosjen. /Teve1