Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA-së, ishte në një vizitë në Beograd, ku takoi dhe intervistoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë intervistë mes djalit të presidentit amerikan dhe Vučić-it, u përmend shumë edhe Kosova dhe bombardimi i Serbisë në vitin 1999.
Trump Jr. e pyeti presidentin serb për bombardimin e Serbisë, si dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Vučić, këtu, e përdori mundësinë për të tërhequr paralele me atë që po ndodh sot në Ukrainë.
“19 shtete të NATO-s e sulmuan Serbinë e vogël sepse thonin se po e shkelnim të drejtën ndërkombëtare publike dhe se mund të shkaktonim katastrofë humanitare. Kur kriza filloi në rajonin e Donbasit (në Ukrainë), ai (Putin) përdori të njëjtat fjalë dhe tha se duhet të ndërhyjmë,” tha Vučić. Trump Jr. e pyeti pastaj për presionin e madh për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
“Gjithmonë kemi qenë të hapur për të arritur një konsensus ose marrëveshje mes nesh dhe Prishtinës, por duhet një zgjidhje kompromisi. Gjatë mandatit të parë të babait tuaj (presidenti Trump) diskutuam për ekonominë, dhe kjo ide më pëlqeu,” tha presidenti autoritar i Serbisë.
Administrata Trump ende nuk ka dalë me ndonjë kërkesë zyrtare sa i përket dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që dy shtetet madje ende nuk kanë as ambasadorë amerikanë në kryeqytetet e tyre. Por, në letrat e dërguara për krerët e Kosovës dhe Serbisë nga presidenti Trump muajin e kaluar, shprehet interesimi i SHBA-së për të bashkëpunuar me të dyja. /gazetametro.net